Gjatë periudhës Tetor 2021 – Maj 2022 INLSH do të implementojë në territorin e Bashkisë Lezhë dhe në bashkëpunim të ngushtë me aktorët vendorë një projekt të ri për fuqizimin e zërit komunitar në çështjet e sigurisë mjedisore dhe ushqimore, në kuadrin e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike (KVSP).

Ky projekt ofron një qasje të integruar ndër-institucionale dhe gjithëpërfshirjenetarget-grupeve më të rëndësishme të komunitetit vendor për fuqizimin e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrjen mbi sfidat mjedisore dhe ato që lidhen me sigurinë ushqimore.

Projekti synon që përmes trajnimeve të aktorëve vendorë, ndërgjegjësimit të komunitetit dhe pjesëmarrjes së tij në proceset vendimmarrëse, si në Këshillin Bashkiak ashtu edhe në KVSP, të fuqizojë zërin qytetar në transparencën dhe llogaridhënien publike të institucioneve përgjegjëse për sigurinë mjedisore dhe atë ushqimore në territorin e Bashkisë Lezhë.

Më tej, projekti do të ndërgjegjësojë grupet lokale të të rinjve, grave dhe komuniteteve të marxhinalizuara për të kuptuar më mirë rëndësinë e sigurisë mjedisore dhe të sigurisë ushqimore për zhvillimin lokal. Kjo do të bëhet përmes trajnimeve mbi sigurinë ushqimore dhe atë mjedisore, si pjesë integrale të sigurisë njerëzore nga ekspertë të afirmuar në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Në kuadrin e këtij projekti do të hartohet një Plan Veprimi për Sigurinë Ushqimore edhe Mjedisore pranë KVSP-së së Lezhës, i cili do të shoqërohet nga një grup indikatorësh monitorues, të aksesueshme për grupet komunitare. Rritja e nivelit të llogaridhënies publike do të realizohet përmes iniciativave të këtyre target-grupeve që do të prezantohen në mbledhjet e KVSP-së dhe që do të targetojnë aspekte të ndryshme të sigurisë mjedisore dhe ushqimore, si dhe nëpërmjet monitorimit të Planit të Veprimit të KVSP-së për sigurinë mjedisore dhe ushqimore.

Share this: